Prokurori përgjegjës i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar (SBPOK), të mbledhë informacionet e nevojshme. Kërkesa për informacione u janë dërguar gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, fillimisht janë hapur lëndë pas dy kallëzimeve penale kundër ambasadorit të Serbisë në Sllovaki, Aleksandar Nakiq, dhe ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dragan Shutanovac.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës, shkruan nova.rs.
Më 20 tetor 2026, prokuroria u kishte dërguar kërkesa për informacione Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, me qëllim të vazhdimit të procedurave paraprake hetimore.
Më pas, Prokurorisë për Krimin e Organizuar i janë dorëzuar edhe 13 kallëzime penale, përfshirë ato kundër ambasadorëve të përmendur më parë.
Kallëzimet e tjera përfshijnë ambasadoren e Serbisë në Francë, Ana Hrustanoviq; ambasadorin në Rumani, Dragan Simeunoviq; ambasadorin në Zvicër, Ivan Trifunoviq; ambasadorin në Bullgari, Milan Raviq; ambasadorin në Mal të Zi, Nebojsha Rodiq; ambasadorin në Australi, Rade Stefanoviq; ambasadorin në Kanada, Stefan Tomashoviq; dhe ambasadorin në Emiratet e Bashkuara Arabe, Vladimir Mariq.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkelje të së drejtës së votës dhe pengim të zhvillimit të procesit të votimit.
Kallëzime penale janë paraqitur edhe kundër ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, shefit të Departamentit të Sigurisë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Vesko Radoviq, si dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Dushan Kozarev.
Gjuriq dhe Radoviq dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës, ndërsa Kozarev për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas pranimit të kallëzimeve penale, prokurori përgjegjës për krimin e organizuar ka kërkuar urgjentisht mbledhjen e informacioneve dhe kryerjen e verifikimeve nga Shërbimi për Luftimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
